Prishtina me mesazhe mirënjohjeje për SHBA-në në 250-vjetorin e shtetësisë
Në Prishtinë është shënuar të shtunën 250-vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një aktivitet festiv të organizuar nga Shoqata e Miqësisë së Amerikës pranë shtatores së ish-presidentit amerikan Bill Clinton.
Kryetari i Shoqatës së Miqësisë së Amerikës, Agim Rexhepi, ka thënë se ky aktivitet organizohet në emër të respektit dhe dashurisë së qytetarëve shqiptarë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton eo.
“Në emrin e miliona qytetarëve shqiptarë që kanë respekt dhe dashuri për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ky vend, i urojmë 4 Korrikun, njëkohësisht këtë jubile të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shoqata e Miqësisë së Amerikës e ka këtë aktivitet, e kemi bërë në koordinim me këto institucione, mirëpo njëkohësisht duke informuar institucionet shumë të larta edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga këtu, fotografitë do t’i dërgojmë përfaqësuesve, liderëve shumë të lartë amerikanë”, ka thënë Rexhepi.