Prioritetet e Kryeministrit: Kurti "harron" se kishte takim me emisarët perëndimorë - NACIONALE

Prioritetet e Kryeministrit: Kurti "harron" se kishte takim me emisarët perëndimorë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Keni dëgjuar ndonjëherë se prioritete të tilla si dialogu me Serbinë dhe çështje tjera me rëndësi për Kosovën mund të shmangen për t'i dhënë rëndësi një ndeshjeje futbolli? Ndeshja e Kupës së Kosovës po del të jetë aq e rëndësishme saqë Kryeministri Kurti nuk mund ta linte veten të mungonte në ceremoninë e fituesit.

Ndonëse Zyra e Kryeministrit Kurti kishte njoftuar sot se kreu i Qeverisë do t’i pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Kurti duket se prioritet më të madh e ka pasur ndeshjen e zhvilluar mes Prishtinës dhe Gjilanit për Kupën e Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sipas agjendës së kreut të ekzekutivit, Kurti në këtë moment duhet të jetë në takim me emisarët perëndimorë. Megjithatë, edhe pas përfundimit të ndeshjes, Kurti po vazhdon të qëndrojë në stadiumin ku po ndjek ceremoninë e fituesit të Kupës.


Kontekst për ndeshjen e sotme: Prishtina e ka mposhtur Gjilanin 2:0 në finale të Kupës së Kosovës, duke e rritur mbizotërimin e madh në këtë garë.

Genc Hamiti dhe Mërgim Pefqeli shënuan dy gola të shpejtë në pjesën e dytë për t’ia siguruar Prishtinës trofeun e kupës në Stadiumin Fadil Vokrri të hënën.

Ky është titulli i tetë rekord për Prishtinën në historinë e garës, si dhe i katërt pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA – po ashtu më shumë se çdo skuadër tjetër.

Lajme të ngjashme