Prindon Sadriu nis aktivitetet në Uashington në kuadër të samitit për mirëqenien e fëmijëve
Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, ka nisur aktivitetet në kuadër të Samitit inaugurues të Koalicionit “Fostering the Future Together”, me ftesë të Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump.
Samiti dyditor në Washington, D.C. synon mbrojtjen e mirëqenies së fëmijëve përmes edukimit, inovacionit dhe teknologjisë, ndërsa në të marrin pjesë 45 Zonja dhe Zotërinj të Parë nga e gjithë bota.
Gjatë aktiviteteve në U.S. Department of State, Sadriu është takuar me zyrtarë amerikanë dhe përfaqësues të kompanive globale të teknologjisë si OpenAI, Microsoft, Google dhe Meta, me të cilët ka diskutuar për mundësitë që këto platforma ofrojnë për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë.
Ai gjithashtu ka prezantuar përkushtimin e Vjosa Osmani dhe institucioneve të vendit për ndërtimin e një të ardhmeje digjitale që fuqizon të rinjtë dhe garanton sigurinë e fëmijëve në hapësirën online.
Kosova është ndër shtetet e para që i është bashkuar kësaj nisme globale, duke synuar avancimin e mbrojtjes dhe mirëqenies së fëmijëve në epokën digjitale.