Princi Bin Salman i Arabisë Saudite pritet nga Trumpi në Shtëpinë e Bardhë
Princi saudit, Mohammed bin Salman, ka arritur në Shtëpinë e Bardhë, ku është pritur nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Duke e realizuar vizitën e tij të parë në më shumë se shtatë vjet, princi u prit me nderime të larta, pjesë e të cilave ishin roja ushtarake e nderit, përshëndetja me topa dhe një fluturim i aeroplanëve luftarakë, raporton gazeta “The Guardian”.
Ish-negociatori amerikan në Lindjen e Mesme, Dennis Ross, i cili tani është pjesë e Institutit të Uashingtonit për Politika të Lindjes së Afërt, tha se Trumpi dëshiron të ndërtojë një marrëdhënie me shumë fusha që e mban Arabinë Saudite jashtë sferës së Kinës.
Pritet që Trumpi t’i bëjë trysni princit saudit që Arabia Saudite të bëhet pjesë e Akordeve të Abrahamit dhe t’i normalizojë marrëdhëniet me Izraelin, hap i madh që sauditët kanë ngurruar ta bëjnë pa një rrugë të qartë drejt shtetësisë palestineze.
Trumpi i kishte arritur marrëveshjet që njihen si Akordet e Abrahamit mes Izraelit e Bahrejnit, Emirateve të Bashkuara, Marokut dhe Sudanit gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë më 2020. Edhe Kazakistani rishtazi është pajtuar që të bëhet pjesë e këtyre akordeve.