Presidentja Osmani viziton Gjakovën pas vërshimeve: Institucionet të bashkuara në menaxhimin e situatës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot komunën e Gjakovës, e cila është përballur me vërshime gjatë ditëve të fundit. Ajo shprehu solidaritet me qytetarët e prekur dhe vlerësoi angazhimin e institucioneve lokale dhe qendrore në menaxhimin e situatës emergjente.
“Sot ishim këtu së bashku me ekipin tonë për të shprehur solidaritetin me të gjithë qytetarët e Gjakovës, me komunën e Gjakovës, për shkak të dëmeve të krijuara nga vërshimet e djeshme. Fatmirësisht, ato pak a shumë janë ndalur dhe po shpresojmë që nuk nuk do të ketë dëme të mëtejme, por dua t’i falenderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar pa ndalë, nga kryetari i komunës dhe të gjitha institucionet lokale tek institucionet qendrore, agjencitë e emergjencave, organet e rendit dhe secilin qytetar që ka treguar solidaritet në mënyrë që kjo gjendje të tejkalohet më me lehtësi”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se disa familje janë prekur drejtpërdrejt nga vërshimet dhe se institucionet do të qëndrojnë pranë tyre deri në kapërcimin e kësaj situate.
“Natyrisht që ka familje të prekura nga kjo situatë, vendbanimet e të cilëve janë dëmtuar. Do të punojmë bashkarisht që kjo të tejkalohet dhe të jemi pranë tyre në përballjen me këtë situatë. Kryetari Gjini na njoftoi për të gjitha masat që janë ndërmarrë e po ashtu për planet që do të hartohen në vazhdimësi sa i përket kalkulimit dhe kompenzimit të dëmeve dhe po ashtu çështjeve të tjera. Do të jemi aty për të bashkëpunuar sepse çdo sfidë është e tejkalueshme atëherë kur punojmë bashkë”, theksoi Osmani.