Presidentja Osmani takon Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Christopher Landau
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, në kuadër të vizitës së saj në Washington. Presidenca ka postuar foto nga arkivi të Osmanit me Landau.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme amerikane, duke veçuar nënshkrimin nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), si dhe përkrahjen e SHBA-ve për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ajo falënderoi gjithashtu Administratën Trump për vizionin e saj që dialogu Kosovë–Serbi të bazohet në njohje reciproke, për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.
Presidentja Osmani diskutoi edhe zhvillimet e fundit dhe situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar rëndësinë e avancimit të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA si një platformë kyçe për forcimin e partneritetit dypalësh dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Ajo ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Administratën e Presidentit Trump. Në këtë kontekst, Osmani përmendi heqjen e tarifave për produktet amerikane, marrëveshjen për shtetasit e vendeve të treta, linjëzimin me politikën e jashtme amerikane dhe harmonizimin e plotë të listës së organizatave terroriste me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Trump.
Në takim, Presidentja ngriti edhe çështjen e shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke kërkuar përkrahjen e Administratës Trump për adresimin e kësaj problematike.
Sa i përket raporteve Kosovë–Serbi, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin e qartë të Administratës Trump kundër ideve për ndryshime kufijsh apo ndarje, duke theksuar se një qasje e tillë është thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ky takim me Zëvendës Sekretarin Landau shënon takimin e dytë bilateral mes tyre brenda këtij viti, ku Presidentja Osmani rikonfirmoi se Kosova do të vazhdojë të ecë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit të saj të përhershëm.