Presidentja Osmani sikur qeveria: Mësimdhënësit të paguhen nëse kompensohet mësimi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konsideron se mësimdhënësit në Kosovë duhet të paguhen, nëse ka një premtim për kompensimin e planit mësimor të humbur gjatë grevës në muajin shtator.
“Natyrisht që është një kohë shumë e vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës për shkak të inflacionit, e krizës energjetike. Prandaj jeta nuk është e lehtë tani për qytetarët e Kosovës. Unë i kam takuar Sindikatat kur e filluan grevën, Këshillin e Prindërve të Nxënësve. Kam bsieduar për një zgjidhje sipas së cilës të gjithë do të ndaheshin të kënaqur”, tha Osmani për Evropën e Lirë.
“Duhet të kemi parasysh që në njërën anë qeveria po përballet me një situatë të rëndë krizës energjetike, e të sigurohemi që kemi buxhet të mjaftueshëm për ta blerë energjinë, që dimrin ta kalojmë më lehtë. Duhet të sigurohemi që mësimdhënësit dhe punëtorët e kalojnë këtë inflacion, prandaj është propozuar pakoja e inflacionit”, shtoi më tutje ajo.
“Greva është dashur të ndërpritet menjëherë kur është ofruar kjo pako në fillim të shtatorit. Tani që greva ka rezultuar me humbje të madhe, kemi Ligj për greva që ka diskrepancë nenin 13 që nuk lejon të dëmtohen në aspektin material, dhe nenin 18 që e obligon qeverinë të mos i paguajë”, shtoi Osmani.
“Nëse ka premtim për kompensim duhet të paguhen. Duhet të arrihet dakordësim për kompensimin e orëve ndërmjet Ministrisë dhe mësimdhënësve”, shtoi ai.
Otregoi se pse ende nuk është duke u formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke shtuar se ajo e "mbështet çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës".
Ndër tjerash ajo foli për dialogun me Serbinë. Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Osmani tha se është "optimiste e kujdesshme".
Ndërkaq, sa i përket moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, Osmani theksoi se ai vendim bazohet "në vendime diskriminuese të kohës së Millosheviqit" dhe shtoi se Kosova duhet të jetë "e kujdesshme për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë".