Presidentja dekoron me Medaljen e Meritave futbollistët e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar me Medalje e Meritave futbollistët e Kombëtares së Kosovës.
Duke falënderuar lojtarët për kontributin e dhënë, ajo ka thënë se kjo medalje ndahet me motivacionin për përfaqësim dinjitoz të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Pavarësisht rezultatit, ju do të mbeteni në piedestalin më të lartë të Republikës sonë për krenarinë që i keni bërë popullit tonë. Prandaj, në emër të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për vendin tonë. Kontributi juaj është pjesë e pandashme e historisë sonë sportive dhe mbi të gjitha frymëzim i fuqishëm për brezat që vijnë. Në bazë të kompetencave të mia kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, kam vendosur që Kombëtaren e Republikës në Futboll ta dekoroj me Medaljen Presidenciale të Meritave, me motivacionin: Për përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare; Për krenarinë që i kanë dhënë shtetit tonë; Si dhe për arritjen në fazën finale të kualifikimeve për Kampionatin Botëror”, ka thënë ajo, duke falënderuar lojtarët për kontributin.
“Dhe jo vetëm me shpresën, por me besimin e plotë që rruga përpara do të jetë edhe shumë e shumë më e ndritshme. Të nderuar përfaqësues të Kombëtares, duke e ditur që shumica e lojtarëve tashmë janë rikthyer në vendet ku punojnë dhe ku luajnë, jam e nderuar që ju kemi sot si përfaqësues nga institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës që ta pranoni këtë dekoratë në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilëve ju keni dhënë emocione dhe krenari pa fund”, është shprehur Osmani.
Në ceremoninë e ndarjes së kësaj medalje prezent ishin disa nga lojtarët, trajnerin Franco Foda dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ajo sot i ka pritur në takim.