Presidenti: Somalia do ta mbrojë veten, nëse Etiopia e vulos paktin “ilegal” për bazë detare - NACIONALE

Presidenti: Somalia do ta mbrojë veten, nëse Etiopia e vulos paktin “ilegal” për bazë detare

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, tha se vendi i tij “do ta mbrojë veten”, nëse Etiopia vazhdon përpara me një marrëveshje për ndërtimin e një baze detare në rajonin separatist, Somaliland, dhe nëse potencialisht e njeh këtë territor si shtet të pavarur.

Etiopia, shtet pa dalje në det, më 1 janar nënshkroi një memorandum mirëkuptimi për të marrë me qira 20 kilometra bregdet në Somaliland, territor që Somalia e konsideron të vetin, edhe pse rajoni verior ka gëzuar autonomi efikase nga viti 1991, raporton agjencia “Reuters”.

Etiopia ka thënë se dëshiron që të ndërtojë një bazë detare atje dhe e ka ofruar në këmbim njohjen e mundshme të pavarësisë së Somalilandit – duke nxitur kundërpërgjigje nga Somalia dhe ka frikë se kjo marrëveshje mund ta destabilizojë më tej Bririn e Afrikës.

“Nëse Etiopia këmbëngul, Somalia do të rezistojë dhe do të refuzojë” – tha presidenti Mohamud të martën në një intervistë me agjencinë “Reuters” në pallatin e fortifikuar presidencial në Mogadishu.

“Nëse ata vijnë në vend, Somalia do të bëjë gjithçka që mundet për ta mbrojtur veten” – shtoi ai.

Ai nuk dha hollësi për veprimet që mund t’i ndërmarrë Somalia. Briri i Afrikës ka përjetuar konflikte të përsëritura, duke nxitur kriza humanitare në zonat e ndjeshme ndaj thatësisë. Etiopia dhe Somalia kanë luftuar për territor në vitet 1977 – 1978 dhe më 1982.

Lajme të ngjashme