Presidenti i Brazilit thotë se s’do të pranojë urdhra nga një i huaj, duke iu referuar Trumpit - NACIONALE

Presidenti i Brazilit thotë se s’do të pranojë urdhra nga një i huaj, duke iu referuar Trumpit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, tha të enjten se ai nuk do të marrë urdhra për taksat nga një i huaj, duke iu referuar homologut amerikan, Donald Trump, dhe më vonë i cilësoi si “shantazh të papranueshëm” taksat me të cilat Trumpi e ka kërcënuar vendin e tij.

Komentet e bëra në dy organizime të ndryshme e shënojnë vazhdimin e një përplasjeje mes dy presidentëve, e cila u përshkallëzua kur Shtetet e Bashkuara njoftuan një taksë prej 50 për qind kundër Brazilit javën e kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi tha se taksat e reja, që pritet të hyjnë në fuqi nga gushti, do të vendosen për shkak të trajtimit që po ia bën Brazili ish-presidentit Jair Bolsonaro, dhe praktikave tregtare të Brazilit ndaj kompanive amerikane, të cilat, sipas tij, janë të padrejta. Njoftimi për taksa të reja erdhi disa ditë pasi Lula iu referua Trumpit si “perandor” që bota nuk e dëshiron.

Lula dhe anëtarët e kabinetit të tij i kanë kundërshtuar arsyet e përmendura nga ShBA-ja për taksat e reja dhe kanë këmbëngulur në sovranitetin e Brazilit, ndërkohë duke bërë thirrje për bisedime tregtare me Uashingtonin.

“Asnjë i huaj nuk do t’i japë urdhra këtij presidenti” – tha Lula në një fjalim, duke e përdorur fjalën e një zhargoni, “gringo”, që në Brazil është term i zakonshëm për të huajt pa kuptimin pezhorativ që e ka në pjesë të tjera të Amerikës Latine.

Ai shtoi se Brazili do të ecë tutje me rregulloret dhe taksat ndaj kompanive amerikane të teknologjisë, duke thënë në një tubim me studentë majtistë në shtetin brazilian Goias se kompanitë e teknologjisë janë kanale të dhunës dhe të lajmeve të rreme të maskuara si liri e shprehjes.

Më vonë të enjten, gjatë një adresimi të mbrëmjes në televizion dhe radio, presidenti brazilian tha se mbrojtja e sovranitetit të vendit shtrihet deri te mbrojtja e tij kundër veprimeve të platformave të huaja digjitale./Nacionale

Lajme të ngjashme