Presidenti i Argjentinës e viziton zonën e sulmuar nga Hamasi: “Nazizëm i shekullit XXI” - NACIONALE

Presidenti i Argjentinës e viziton zonën e sulmuar nga Hamasi: “Nazizëm i shekullit XXI”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, dhe homologu i tij izraelit, Isaac Herzog, e vizituan të enjten vendbanimin Nir Oz, pranë kufirit me Gazën, komunitet që iu vranë ose iu morën peng një e katërta e banorëve nga Hamasi më 7 tetor. Në këtë vendbanim kishte shumë imigrantë nga Argjentina dhe pasardhës të tyre.

“Ne duhet ta rindërtojmë këtë vend. Duhet ta kthejmë komunitetin dhe duhet t’i mbrojmë izraelitët e shpresojmë se do të ndërtojmë një të ardhme ndryshe për ne dhe për fqinjët tanë” – tha presidenti izraelit, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Në anën tjetër, presidenti argjentinas e quajti Hamasin “grup terrorist”, ndërsa sulmin në jug të Izraelit e përshkroi si “nazizëm të shekullit XXI”.

“Ishte indiferenca e botës së lirë që e bëri të mundshëm Holokaustin nazist dhe, siç tha presidenti Herzog, bota e lirë nuk mund të mbetet indiferente në këtë rast, përderisa shohim shembuj të qartë të terrorizmit e antisemitizmit dhe atë që unë do ta përshkruaja si nazizëm i shekullit XXI” – tha Milei.

Dy presidentët dhe bashkëshortet e tyre vizituan disa shtëpi në këtë vendbanim, përfshirë atë të Ofelia Roitman-it, imigrantë argjentinase në Izrael, e cila ishte liruar nga Hamasi në nëntor dhe i shoqëroi politikanët gjatë vizitës. Kjo ishte hera e parë që zonja Roitman ishte në shtëpinë e saj që nga sulmi i 7 tetorit.

Lajme të ngjashme