Presidenca çeke e konfirmon: S’ka konsensus për liberalizimin e vizave për Kosovën
Sot është mbajtur diskutimi i dytë i Grupit Punues të Këshillit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Por, as në këtë mbledhje po del se nuk ka pasur konsensus.
Kjo pasi Franca ka kërkuar që liberalizimi i vizave të lidhet me sistemin ETIAS, kurse disa shtete e kanë kundërshtuar.
Presidenca çeke ka njoftuar megjithatë, se ka pasur përparim në negociata.
“Më 10 nëntor, Grupi Punues për Vizat e Këshillit të BE-së mbajti diskutimin e dytë për liberalizimin e vizave me Kosovën nën Presidencën Çeke. Shtetet Anëtare diskutuan propozimin për kompromis të Presidencës mbi kërkesën për të lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionimin e sistemit ETIAS. Pas një diskutimi të gjatë, nuk u arrit konsensus; vendet anëtare, megjithatë, bën përparim të rëndësishëm në negociata. Presidenca do t’i rikthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të përpiqet të përfundojë sa më shpejt punën për këtë çështje të rëndësishme”, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen e fundit të mbajtur më 13 tetor, Franca ka kërkuar që liberalizimi të kushtëzohet me vënien në funksion të sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, të harmonizojë politikën e vizave me atë të Bashkimit Evropian, si dhe të rrisë kontrollin e kufijve dhe vazhdimin e riatdhesimit të atyre që duhet të lëshojnë territorin e BE-së.