Prattipati, Qeverisë: Jemi për mbylljen e institucioneve paralele serbe
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën e mbylljes se strukturuarve paralele në veri.
Ajo ka vlerësuar se ShBA-ja është e shqetësuar për mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura.
Në një intervistë për gazetën “Express”, diplomatja amerikane ka thënë se mënyra se si është bërë kjo mbyllje nuk ka qenë e duhura.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura dhe për deklaratat mbi veprime të njëanshme për ta zhvendosur arsimin dhe shëndetësinë në sistemin kosovar. Ne nuk e vëmë në dyshim që këto institucione duhet në fund të integrohen në sistemin e Kosovës. Megjithatë, mënyra se si bëhet kjo është tejet e rëndësishme. Çdo plan për ta ndryshuar statusin e institucioneve paralele duhet të jetë i koordinuar plotësisht dhe të diskutohet paraprakisht me udhëheqësit e zgjedhur dhe anëtarët e komunitetit serb të Kosovës dhe të koordinohet përmes kanaleve të vendosura siç është Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, me një afat kohor dhe plan të qartë të përcaktuar. Nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë këtë në mënyrë të përgjegjshme”, ka thënë Prattipati.