Policia konfiskon mallra të kontrabanduara në Pejë në vlerë rreth 30 mijë euro
Policia e Kosovës ka njoftuar se, në një aksion të realizuar në Pejë, janë zbuluar dhe konfiskuar mallra të kontrabanduara në vlerë të përafërt prej 30 mijë eurosh.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është zhvilluar nga njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në zbatim të urdhëresave të Gjykatës Themelore në Pejë, me asistimin e inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës dhe të Njësitit Anti-Kontrabandë të Doganave të Kosovës.
Gjatë kontrollit në subjektin afarist, autoritetet kanë konfiskuar cigare elektrike, duhan të grirë, shije dhe filtra për cigare elektrike, shije për shisha, si dhe sasi të konsiderueshme cigaresh të llojeve të ndryshme dhe cigare PURO.
Ndërkaq, në shtëpinë e të dyshuarve janë sekuestruar dhjetëra mijëra copë cigare të kontrabanduara, filtra për cigare elektrike dhe filtra për shishë elektrike.