Policia jep detaje për vrasjen në Prizren, i dyshuari ende në arrati
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vrasjen që ndodhi të dielën mbrëma në Prizren.
Sipas policisë, deri të vrasja ka ardhë për shkak të një mosmarrëveshje që kishte pasur viktima me një të dyshuar tjetër.
Policia në raportin 24 orësh, ka bërë të ditur se janë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme për të kapur të dyshuarin që është në kërkim policor.
“VRASJE Prizren 03.09.2023-18:45. Dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori kujdestar dhe ekipi mjekësor i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit i cili është në kërkim policor. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime intensive.” – ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Ndërkohë, media Sinjali, ka raportuar se viktima është një burrë i moshës 48-vjeçare, ndërsa i dyshuari i moshës 50-55-vjeçare
Sipas një dëshmitari të rastit, ai ka thënë se i dyshuari e ka gjuajtur me “kallash” në drejtim të viktimës.
“Njëri doli prej Taureg-ut, në sy të gruas e të fëmijës e vrajti njeriun, e la për toke. Nuk po dihet pse, veç atë burrin e njoh, punojke në ndërtim ai, i Malishevës. Në sy të gruas, në sy të fëmijës e ka gjujtë, me kallash. Edhe atë djalin e vet, nëpër mure t’u ikë prej plumbit…”, tregoi njëri nga dëshmitarët e rastit për Sinjalin.