Policia e Shtimes arreston personin e kërkuar për disa vepra penale: E zë pasi iku me pikap
Policia e stacionit në Shtime ka arrestuar personin e shumëkërkuar E.M. (32 vjeç), i dyshuar për kanosje dhe i shpallur më herët në kërkim për disa vepra penale.
Arrestimi erdhi pasi një qytetar raportoi se E.M. e kishte kanosur. Gjatë reagimit, policia mori informacion se i dyshuari ishte paraqitur në shtëpinë e ankuesit së bashku me një të afërm. Gjatë tentativës për t’u larguar, ai dyshohet se ka shfaqur një armë zjarri dhe është arratisur drejt zonës malore të fshatit Zborc.
Fillimisht policia arrestoi M.M. (43 vjeç), i dyshuar për ndihmë në arratisje. Më pas, me vendosjen e njësive policore në pika strategjike në Carralevë, është lokalizuar dhe arrestuar edhe E.M., pa rrezikuar pjesëtarët e policisë. Tek i dyshuari u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri me fishekë.
E.M. kërkohej nga autoritetet për raste të mëparshme që lidhen me posedim narkotikësh, lëndim trupor dhe një rast të vrasjes së mbetur në tentativë.
Ndaj M.M. është iniciuar rasti “Ofrimi i ndihmës pas kryerjes së veprës penale”. Me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore.