Policia e Koresë Jugore e pranon përgjegjësinë për tragjedinë gjatë Halloween-it
Komandanti i policisë së Koresë Jugore pranoi “përgjegjësi të rëndë” për dështimin që të parandalohej një tollovi e turmës, në të cilën mbetën të vdekur mbi 150 persona gjatë shënimit të festës së Halloween-it në Seul.
Ai tha të martën se policët nuk i kanë trajtuar në mënyrë efektive thirrjet urgjente për fatkeqësinë që po fillonte.
Pranimi i përgjegjësisë nga policia erdhi në kohën kur qeveria e vendit ballafaqohet me presionin e publikut për atë nëse tragjedia e së shtunës do të mund të parandalohej dhe kush duhet ta marrë përgjegjësinë për fatkeqësinë më të rëndë të vendit në vitet e fundit.
“Unë ndiej një përgjegjësi të rëndë si udhëheqës i njërës prej zyrave të lidhura qeveritare. Policia do ta bëjë më të mirën e saj për të parandaluar një tragjedi si kjo”- tha komisionari i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Policisë, Yoon Hee Keun.
Komandanti tha se sipas një hetimi fillestar, qytetarët kanë bërë shumë thirrje urgjente për t’i njoftuar autoritetet për rrezikun e grumbullimit të turmës, por oficerët që i kishin pranuar thirrjet, nuk u ishin përgjigjur atyre në mënyrë të kënaqshme.