Policia bastis lokacionin e një të dyshuari për krime lufte, sekuestrohen prova - NACIONALE

Policia bastis lokacionin e një të dyshuari për krime lufte, sekuestrohen prova

3 orë më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kryer të premten një bastisje në lokacionin e të dyshuarit M.J. në Zubin Potok, në kuadër të hetimeve për veprën penale "Krime lufte kundër popullësisë civile" të kryera gjatë vitit 1999 në Mitrovicë.

Sipas njoftimit të Policisë, bastisja është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore dhe vjen si vazhdim i hetimeve intensive pas arrestimit, më 28 korrik 2026, të dy të dyshuarve me inicialet M.J. dhe M.B.

Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, të cilat, sipas Policisë, dëshmojnë se i dyshuari M.J. ka qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive e ish-Armatës Jugosllave gjatë periudhës së luftës.

Policia bëri të ditur se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar nga ekipet relevante hetimore.

"Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, të trajtojë të gjitha rastet penale, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me krimet e luftës", thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme