Policia arreston 13 persona në Ferizaj: Merreshin me bixhoz
Policia e Kosovës ka arrestuar 13 persona në fshatin Greme të komunës së Ferizajt. Sipas policisë të arrestuarit dyshohen për organizimin e skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit pronari i lokalit është dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt të mëtejme hetimore.
S.M, i moshës 35-vjeçare dyshohet për veprën penale “’Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Komunikata e plotë:
Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm
Me datën 28.11.2022 në ora 02:00 të mëngjesit, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në një lokal në fshatin Greme të Ferizajt dyshohej se disa persona ishin duke zhvilluar aktivitete joligjore, duke luajtur bixhoz.
Njësitet reaguese të stacionit policor në Ferizaj, menjëherë janë nisur në drejtim të këtij lokacioni, ku kanë hasur në trembëdhjetë (13) persona duke luajtur bixhoz.
Me këtë rast, policia i ka marrë veprimet e nevojshme hetimore, duke bërë fotografimin dhe si dëshmi materiale kanë gjetur: një pako me 2061 çipa që konvertohen në shuma të caktuara të parave dhe 20 palë letra që janë përdorur për të luajtur bixhoz, të cilat më pas janë konfiskuar.
Pasi janë kontrolluar të gjithë personat e dyshuar, të njëjtit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policia, me vendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj pronari i lokalit S.M ( M/K) i moshës 35 vjeçar është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për veprën ‘’Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, ndërsa personat tjerë janë liruar për procedurë të rregullt të mëtejme hetimore.