Po ndreqte flokët kur frizerja ia lëshon do fjalë të ëmbla për Kurtin: 'Befasohet' deputetja e VV-së
Një ngjarje jo fort e zakonshme i ndodhi në një sallon ondulimi deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Jo fort e zakonshme të paktën për imagjinatën tonë, në të cilën frizeret nuk japin komente politike në bazë të të cilave deputetetët shkruajnë pastaj statuse.
Edhe pse kishte shkuar në parukeri siç bën rëndom, ajo u ballafaqua me komentin nga parukierja.
Kjo e fundit e lavdëroi Kurtin, duke thënë se tash gjumin e bën rehat, pasi nuk frikësohet se mund të nënshkruhet marrëveshje e dëmshme.
“Unë fle rahat, sepse nuk kam frikë që kur të zgjohem do të kuptoj se Kryeministri ynë ka nënshkruar ndonjë marrëveshje të dëmshme për vendin". U befasova për të mirë, kur e dëgjova këtë nga një parukiere në sallonin që e frekuentoj”, ka shkruar deputetja e Vetëvendosjes.
“Vetëdija qytetare fatmirësisht është shumë më e lartë, në raport me atë që servohet shpesh nga studiot televizive me tentativë të kotë në deformimin e opinionit publik”, theksoi ajo.