Po bënin gara me vetura, policia dënon dy persona me 500 euro gjobë, pesë pikë negative dhe ndalim vozitje për një vit
Sot me datën 18.05.2024 në rrugën “Dëshmorët e Hereqit” në Gjakovë, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, kanë identifikuar dhe ndalur dy automjete, ngasësit e të cilave bënin gara shpejtësie.
Sipas njoftimit të policisë, të njëjtëve, bazuar në ligjin për trafikun rrugor, ju është shqiptuar gjobë në vlerë prej pesëqind (500) euro, pesë (5) pikë negative dhe ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muaj.
“Garat e shpejtësisë në rrugët publike, përveç që janë të paligjshme, ato përbëjnë rrezik të jashtëzakonshme për pjesëmarrësit në komunikacion. Drejtimi me shpejtësi të lartë rrit shanset për aksidente fatale dhe lëndime të rënda, andaj Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë është e angazhuar dhe e përkushtuar të zbatojë ligjin për të krijuar siguri për të gjithë. Shkelësit do të përballen me ndëshkime, përfshirë gjoba të mëdha, ndalim i të drejtuarit të mjeteve etj.” – thuhet në njoftim.