Plani për vrasjen e Kurtit: Ish-drejtori Nano që iu hakuan të dhënat nuk jep detaje
Televizioni A2 në Shqipëri ka publikuar sot një lajm, të cilën Nacionale ende nuk ka arritur ta konfirmojë. Sipas televizionit shqiptar, gjatë vitit 2021 kishte një plan për vrasjen e disa figurave kosovare, përfshirë kryeministrin Albin Kurtit.
Nacionale ka kontaktuar ish-shefin e Policisë së Shqipërisë, Gledis Nano, për të pyetur më shumë rreth këtij plani për vrasjen e Kurtit, Xhavit Halitit dhe Ismet Haxhës.
Përkundër insistimit të gazetares së Nacionales, z.Nano nuk ka dhënë detaje më shumë, ndonëse në kohën kur thuhet se është planifikuar sulmi, ai ka qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë.
“Jam duke hy në një takim, nuk dua te jap asnjë intervistë për asnjë media, të lutem shumë, jam duke hy në një takim.”, tha Gledis Nano, ish-shef i Policisë së Shqipërisë.
Dokumenti i publikuar edhe nga Nacionale, është marrë në mënyrë të paligjshme nga hakerët nga sistemi i Policisë së Shqipërisë.
