Petkoviq: Reciprociteti për dokumente, do të diskutohet në Bruksel
Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, ka folur në lidhje me pezullimin e zbatimit të vendimit për dokumentet identifkuese.
Petkoviq ka bërë të ditur për mediat serbe, se kjo çështje do të diskutohet në Bruksel.
“Nuk ka më lëshim të dokumenteve hyrëse-dalëse që Prishtina ka dashur t’ua imponojë qytetarëve të Serbisë që hynë në Kosovë e Metohi. Në këtë mënyrë ne jemi kthyer në një pozicion ku të gjitha këto çështje mund t’i diskutojmë në Bruksel”, është shprehur Petkoviq.
Sipas tij, kjo çështje duhet të zgjidhet me kompromis në dialog.
“Do të jetë një luftë e fortë dhe intensive për të normalizuar situatën me zgjidhje kompromisi. Prandaj është e nevojshme të jemi në Bruksel. Nuk kemi ikur nga dialogu”, ka shtuar ai.