Petkoviç: Kurti po mashtron, nuk ka afat kohor për marrëveshje
Kryenegociatori i Serbisë për bisedime me Kosovën, Petar Petkoviç, ka mohuar se BE-ja ka përcaktuar ndonjë afat për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në një deklaratë për media, ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk po e thotë të vërteten kur po flet për afate rreth kësaj çështje.
“Është koha që Albin Kurti të ndalojë së mashtruari opinionin dhe të përballet me të vërtetën dhe faktet që dëshmojnë qartë se nuk ka afate të përcaktuara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka deklaruar Petkoviç.
Sipas tij, i vetmi afat është ai për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“I vetmi afat që po troket është për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilin Prishtina është vonuar gati 10 vjet, dhe për këtë do të ishte mirë që Kurti të fokusohej në përmbushjen e atij obligimi dhe ta implementojë atë që është nënshkruar në Bruksel”, ka treguar Petkoviq.