Përleshje të reja Armeni – Azerbajxhan pas vrasjes së gati 100 ushtarëve - NACIONALE

Përleshje të reja Armeni – Azerbajxhan pas vrasjes së gati 100 ushtarëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përleshje të reja shpërthyen të mërkurën mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, një ditë pasi gati 100 ushtarë u vranë në luftimet më vdekjeprurëse që nga përfundimi i luftës së vitit 2020.

Të paktën 49 ushtarë armenë dhe 50 ushtarë azerë u vranë të martë gjatë luftimeve. Jerevani dhe Bakuja e fajësuan njëri-tjetrin për luftimet që nxitën thirrje për qetësim nga Shtetet e Bashkuara e Rusia.

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë e akuzoi të mërkurën Azerbajxhanin për të shtëna me artileri, mortaja dhe armë të vogla gjatë sulmit të ri. “Situata në kufirin Armeni – Azerbajxhan mbeti e tensionuar”, shtoi kjo ministri, duke e përsëritur qëndrimin se Azerbajxhani ka kryer sulme në territorin sovran armen.

Në anën tjetër, Azerbajxhani e akuzoi Armeninë për sulme me mortaja e artileri ndaj njësiteve ushtarake azere. “Pozicionet tona po sulmohen herë pas here për momentin. Njësitet tona po i marrin masat e nevojshme reaguese”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.

Këto përleshje kanë shkaktuar frikë për një tjetër konflikt të madh në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik përderisa Rusia është përfshirë në pushtimin e Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.

Një konflikt i hapur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit do ta tërhiqte përfshirjen e fuqive rajonale si Rusia e Turqia dhe do të destabilizonte një korridor të rëndësishëm për gazsjellësit dhe naftësjellësit pikërisht në kohën kur lufta në Ukrainë po e pengon furnizimin me energji.

Azerbajxhani përkrahet politikisht e ushtarakisht nga Turqia, por raporte të mira ka edhe me Rusinë. Armenia është në një aleancë ushtarake rajonale me Rusinë dhe në territorin e saj ka një bazë ushtarake ruse.

Lajme të ngjashme