Përjashtimi arbitrar i gazetarëve të RTK-së nga ekranet, AGK: Nivel i paprecedent i cenzurës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim ndaj vendimit të menaxhmentit të Radio Televizionit të Kosovës për të larguar nga ekrani gjashtë gazetarë dhe moderatorë të emisioneve informative.
Gazetarët Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Arton Mulliqi, Edona Musa-Mustafa, Jehona Zhitia dhe Valon Bajrami kanë njoftuar se pa asnjë paralajmërim paraprak, të premten e kaluar, janë përjashtuar nga drejtimi i emisioneve informative të orës 17:00 dhe 23:00.
AGK e ka cilësuar këtë vendim si arbitrar dhe si një formë të paprecedent të censurës në transmetuesin publik.
“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë vendim arbitrar të Menaxhmentit të RTK-së, që paraqet një nivel të paprecedent të cenzurës në Transmetuesin Publik.
AGK-ja e sheh veprimin e Menaxhmentit si ndëshkim ndaj 6 gazetarëve për punën e tyre profesionale, të pandikuar politikisht dhe për ngritjen e zërit për vonesën e pagave.
Kjo është një dëshmi e re, të shqetësimit të ngritur me kohë nga AGK-ja, se Menaxhmenti aktual është vënë në shërbim të plotë të Qeverisë Kurti, dhe partisë politike në pushtet, Vetëvendosje.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e fton Menaxhmentin që ta rishikojë dhe tërheqë këtë vendim, dhe t’ua mundësojë gazetarëve dhe redaktorëve të bëjnë punën e tyre në interest të publikut, pa ndikimin e vazhdueshëm politik.” – thuhet ndër të tjera në reagim.