Përhapen protestat pro-palestineze në universitete amerikane, dhjetëra të arrestuar - NACIONALE

Përhapen protestat pro-palestineze në universitete amerikane, dhjetëra të arrestuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia amerikane ka arrestuar dhjetëra njerëz në tubime pro-palestineze në Universitetin e Yale-t në Connecticut dhe në Universitetin e Nju-Jorkut në Manhattan, përderisa protestat e studentëve kundër luftës së Izraelit në Gaza po vazhdojnë t’i turbullojnë kampuset e universiteteve amerikane.

Në kampusin e Universitetit të Yale-t në Connecticut, autoritetet arrestuan të paktën 47 protestues të hënën në mbrëmje, thuhet në një deklaratë të këtij institucioni. Studentët e arrestuar do t’u nënshtrohen masave disiplinore, raporton gazeta “The Guardian”.

Veprimet e policisë erdhën pasi Universiteti i Kolumbias i anuloi ligjëratat me pjesëmarrje fizike të hënën si reagim ndaj vendosjes së tendave nga studentët në kampusin e këtij universiteti në Nju-Jork javën e kaluar.

Disa qindra njerëz kanë protestuar në kampusin e Universitetit të Yale-t, duke kërkuar që ky institucion të distancohet nga prodhuesit e armëve ushtarake. Zyrtarët e universitetit thanë se disa herë u kishin kërkuar studentëve që të largoheshin dhe i paralajmëruan ata se mund të ballafaqohen me forcat e rendit dhe masa disiplinore, nëse nuk do të largoheshin.

Edhe studentët në universitetet Brown, Princeton dhe Northëestern University mbajtën protesta të premten dhe në fundjavë.

Protesta ka pasur edhe në Universitetin e Bostonit, Universitetin e Kalifornisë e në Universitetin e Karolinës së Veriut.

Lajme të ngjashme