Përfshirje në dialog po kërkojnë shqiptarët e Luginës - NACIONALE

Përfshirje në dialog po kërkojnë shqiptarët e Luginës

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë që çështja e tyre të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tyre në këtë proces duhet të ketë një zgjidhje gjithëpërfshirëse, ku përmes parimit të reciprocitetit të trajtohen të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike. Andaj, theksojnë se shqiptarët në Luginë duhet t’i kenë të drejtat që i kërkon komuniteti serb në Kosovë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, thotë për KosovaPress, se shqiptarët në Luginë u janë nënshtruar një diskriminimi sistematik nga autoritetet serbe.

“Ajo çka për ne është e rëndësishme, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të trajtohet çështja e Luginës së Preshevës. Këtë e ka bërë deri më tash dhe shpresojmë se hapat e tjerë në qasje sa programatike, po aq sistematike të gjendet një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që nënkupton përfshirjen edhe çështjes politiko-juridike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës… Për ne është e rëndësishme reciprociteti. Përmes reciprocitetit nënkuptohet barazia dhe ajo nënkupton trajtimin e të drejtave të pakicave në mënyrë simetrike. Atë çfarë kërkojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës absolutisht ia dëshirojnë të gjithë të tjerëve, por njëkohësisht ajo çfarë kërkojnë të tjerët është e rëndësishme që të përfitojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Reciprociteti është qenësore, duke marrë parasysh se shqiptarët në luginë janë të nënshtruar një diskriminimi sistematik”, thotë ai.

Mustafi thekson se pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë, është një akt i shëmtuar dhe antikushtetues që Serbia po e përdorë.

Lajme të ngjashme