Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe: Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës
Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në Këshillin e Evropës, John Howell, thotë se Mbretëria e Bashkuar po e mbështet fuqishëm Kosovën për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Ai shprehet optimist duke thënë se Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës, dhe shton se sipas tij tani Kosovës i takon që të lobojë tek ato shtete që janë më të rezervuara sa i përket anëtarësimit.
“Mbi 30 shtete votuan dhe e mbështeten aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Mendoj se për një periudhë të shkurtër kohore, Kosova do të bëhet anëtare më të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Jam shumë optimist për këtë çështje. Duhet ta dini që Mbretëria e Bashkuar është duke e mbështetur fuqishëm Kosovën në këtë rrugëtim të rëndësishëm. Tani Kosovës i takon që ta bëjë pjesën e saj, të lobojë tek ato shtete që janë më të rezervuara sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës”- thotë Howell, raporton teve1.
Howell ndër të tjera shton se Serbia duhet të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, sepse sipas tij në këtë situatë Serbia nuk ka se çfarë të humbas, por do të përfitonte edhe ajo.
“Serbia duhet t’i respektoj marrëveshjet dhe të mos e pengoj Kosovës të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Në këtë situatë nuk do të përfitonte vetëm Kosova, por edhe Serbia, sepse kjo do të mundësonte një komunikim më të mirë mes të gjitha shteteve që janë anëtare të Këshillit. Serbia nuk ka çfarë të humbas këtu sepse të gjithë përfitojnë duke qenë anëtarë të barabartë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe duke qenë subjekt i konventës”- tha ai.