Për t’u dukur më shumë para, Kurti ua llogarit lehonave sa para do të marrin për 6 muaj tok - NACIONALE

Për t’u dukur më shumë para, Kurti ua llogarit lehonave sa para do të marrin për 6 muaj tok

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri në detyrë, njëkohësisht deputeti i zgjedhur i VV-së, Albin Kurti, njoftoi të enjten se janë rritur shtesat për nënat lehona të papuna, nga 170 në 325,9 euro.

Sidoqoftë, kryetari i VV-së nuk e la me kaq matematikën.

Duke shkruar në rrjetin “Facebook”, ai e mori mundin që ta llogariste shumën e përgjithshme që do ta marrin lehonat e papuna për gjashtë muaj si dhe e tregoi përqindjen e rritjes së shtesave.

“Nga ky muaj shtesat për nënat lehona rriten nga 170 euro në 325.9 euro – rritje kjo prej 91.7% apo gati dyfishim i vlerës së shtesave të deritanishme” – shkroi Kurti.

Shkoi edhe më tej. Për t’u dukur sa më shumë para, vlerës së përgjithshme të shtesave për lehonat për gjashtë muaj ia bashkëngjiti edhe vlerën e përgjithshme të shtesave mujore për fëmijë dhe në fund ai doli ta nxirrte numrin katërshifror – 2 mijë e 75 euro e 40 centë.

“Për gjashtë (6) muaj, shtesa e rritur përkthehet në 1,955.4 euro, dhe kur kësaj i shtojmë edhe shtesën mujore për fëmijën, që është së paku 20 euro në muaj apo 120 euro për gjashtë (6) muajt e parë, atëherë i bie se Qeveria jonë po mbështet secilën nënë të re që është e papunësuar me 2,075.4 euro” – shkroi deputet Kurti, i cili ende po e mban pozitën e kryeministrit në detyrë.

Lajme të ngjashme