Për çka akuzohet Nagip Krasniqi, ish-kryeshefi i KEK-ut?
Nagip Krasniqi, ish-kryeshefi i KEK-ut është deklarua sot i pafajshëm në lidhje me aktakuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare, sa ishte në krye të këtij institucioni.
Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, u mbajt seanca fillestare, ku Krasniqi u deklarua për fajësinë e tij.
Por cfarë thotë aktakuza?
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me datë 19 gusht 2024, ka ngrit aktakuzë kundër të pandehurit Nagip Krasniqin, sepse duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19.04.2023, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjitike të Kosovës, shfrytëzon detyrën zyrtare me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, ashtuqë me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Me ç’rast operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës, për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Republikës së Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve të tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore, si edhe shkaktimin e dëmi material ndaj KEK-ut, në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.
Me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.