Për nëntë muaj, 292 raste të reja me kancer të gjirit në Klinikën e Onkologjisë - NACIONALE

Për nëntë muaj, 292 raste të reja me kancer të gjirit në Klinikën e Onkologjisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nga janari deri në shtator të këtij viti, në Klinikën e Onkologjisë në QKUK janë shënuar 292 raste të reja me kancerin e gjirit, që i përkasin moshës mbi 50 vjeçe. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi. Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Në Kosovë po shënohet muaji tetor që njihet si muaj i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Ky muaj, ka për qëllim ndërgjegjësimin për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat e reja.

Ushtruesi i detyrës se Drejtorit në Klinikën e Onkologjisë, Arben Bislimi, tha për Radio Kosovën se këtë vit ka rritje të rasteve në krahasim më vitin e kaluar.

“Me kancer gjiri janë evidentuar 292 raste të reja. Kur e krahasoj me vitin paraprak edhe parallogaritjet që i kemi nga matjet që i bëjmë ne, deri ne fund të vitit do ta tejkalojë numrin 400 e që nga viti i kaluar është 15 deri 20 për qind me shumë. Moshat e prekura janë kryesisht mbi 50 vjeç por kemi pasur edhe mosha të reja”, tha Bislimi.

E në kuadër të këtij muaji në Kosovë po organizohen aktivitete të shumta. Nafije Latifi, nga organizata “Jeta Vita”, e cila me vite të tëra merret me informimin e grave për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit, tha për Radio Kosovën që këtë muaj kanë vendosur të mbajnë 12 ligjërata në tërë Kosovën për t’u informuar vajzat e reja.

Lajme të ngjashme