Pentagoni thotë se ushtari i arrestuar në Rusi kishte shkuar atje pa autorizim - NACIONALE

Pentagoni thotë se ushtari i arrestuar në Rusi kishte shkuar atje pa autorizim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pentagoni ka thënë se ushtari amerikan, Gordon Black, i cili është ndaluar në Rusi nën akuzën për vjedhje, kishte shkuar në këtë shtet pa autorizim.

Arrestimi i ushtarit është një tjetër kokëdhimbje për Shtetet e Bashkuara, që i kanë paralajmëruar shtetasit amerikanë kundër udhëtimit në Rusi, raporton agjencia “Reuters”.

Ai u arrestua në fillim të majit në Vladivostok, në Lindjen e Largët të Rusisë. Një gjykatë ruse tha se ushtari akuzohet për vjedhje që ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm. Black do të mbahet në paraburgim të paktën deri më 2 korrik.

Gjykata e Qarkut në Pervomaisky tha në një deklaratë se kishte marrë vendim për masë parandaluese për mbajtjen e ushtarit në ndalim deri më 2 korrik për “vjedhje sekrete të pronës së qytetares T., duke e shkaktuar dëmin e konsiderueshëm të mëvonshëm”.

“Gjatë zgjedhjes së masës parandaluese në formën e ndalimit, gjykata erdhi në përfundimin se shtetasi i ShBA-së, B. (Black) – nën peshën e akuzave – mund të fshihet nga autoritetet e hetimit preliminar dhe nga gjykata për t’iu shmangur përgjegjësisë” – thuhet në deklaratën e gjykatës ruse.

Ministria e Brendshme e Rusisë në Vladivostok tha të martën se një grua 32-vjeçare kishte paraqitur një ankesë kundër të dyshuarit 34-vjeçar.

Amerikani dhe rusja ishin takuar në Kore të Jugut. Ushtari kishte shkuar në Rusi për ta vizituar atë, pastaj të dy kishin një zënkë dhe ajo më vonë paraqiti një raport në polici, duke e akuzuar amerikanin për vjedhje të parave, tha Ministria e Brendshme. Ushtari u arrestua në një hotel lokal, pasi kishte blerë një biletë aeroplani për t’u kthyer në shtëpi.

Lajme të ngjashme