Peci i drejtohet Isa Mustafës: Asociacionin na e le ti, e gjetëm këtu
Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas pikave të marrëveshjes që u publikuan mbrëmë.
Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", ai ka kritikuar pranimin e pikës 7, duke thënë se nuk është në përpuethshmëri me Kushtetutën, teksa ka ftuar presidenten Osmani që të tregojë nëse është konform aktit më të lartë juridik të shtetit.
Pas kësaj ka reaguar, ministri i Bujqësisë, Faton Peci i cili ka thënë se më 25 gusht 2015, delegacioni i udhëhequr nga Mustafa ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë, në mes e cilave ishte edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Më 25 gusht të vitit 2015, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa ka nënshkruar katër marrëveshje me Serbinë, në mesin e të cilave ishte edhe Asociacioni komunave me shumicë serbe. Sot, shkelësi i 23-fishtë i Kushtetutës, Isa Mustafa, ish-kryeministër, paska shkretuar sërish duke shfryer mllefin kundrejt presidentes Osmani, për sherrin që ia ka lënë në shpinë Kosovës.” – ka shkruar Peci.
Ai tutje i është drejtuar Mustafës se “askush nuk di se çfarë do të thotë Asociacioni dhe çfarë thonë edhe nenet specifike, thjesht sepse ti je kumbara i Asociacionit.”
“Më mirë se ti Isa Mustafa askush nuk e di se çfarë do të thotë Asociacioni dhe çfarë thonë edhe nenet specifike, thjesht sepse ti je kumbara i Asociacionit. Si një ekonomist i vetë-shitur, mbase e kupton që me logjikën e ekonomisë së tregut, të ka skadu qëndrimi në politikë dhe atë pas ndëshkimit nga vota qytetare. Si një qytetar në pension, ke kohë të reflektosh prapa dhe ta konfirmosh se Asociacioni dhe çfarëdo zhvillimi në raport me situatën aktuale politike e kemi trashëgim nga ti dhe shokët e tu.” – ka shkruar Peci.
Ministri i Bujqësisë tutje ka thënë se Asociacionin e ka lenë Mustafa dhe se këta e kanë gjetur këtu.
“Monitoroje tensionin, sepse Asociacionin na e le ti, e gjetëm këtu. Ju edhe mund të shpreheni për çfarëdo, por duke qenë se janë pasojat e veprimeve tuaja politike me të cilat përballemi sot, së paku në këtë periudhë rri qetë, nëse nuk ke për të thënë diçka përtej pendimit!” – ka përfunduar Peci.
