PDK: Qeveria Kurti ka nisur kapjen e Administratës Publike
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka akuzuar Qeverinë Kurti se përmes Ligjit për Administratën Publike pritet t’i largojë nga punë mijëra zyrtarë civilë.
Ai tha se veprimi i qeverisë është kundërkushtetues dhe cenon procesin e integrimit evropian si dhe kërcin direkt për të vënë në kontroll politik gjithë shërbimin civil të Kosovës.
“Qeveria aktuale pasi ka kapur çdo institucion publik duke emëruar e punësuar familjarët e tyre dhe zyrtarët partiakë në pozita drejtuese dhe në borde të institucioneve publike, tani ka nisur përpjekjet kundër kushtetuese në administratën publike. Kjo qeveri këto ditë ka prezantuar Projektligjin për Zyrtarët Publik të Kosovës, i cili paraqet synimin e qartë të partisë në pushtet për të politizuar administratën publike të shtetit dhe për t’a kthyer atë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
“Qeveria ka paraparë që pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, të ju ndërpres kontratat e punës që kanë fituar sipas akt emërimeve të përhershme, të gjithë zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në administratën publike, të shpallë konkurse të reja për të gjitha këto pozita, dhe këto pozita të jenë me mandat 4 vjeçar. Këtu bëhet fjalë për mijëra zyrtarë që aktualisht mbajnë këto pozita. Me këtë rast, mijëra familje do të mbesin pa të ardhurat e tyre. Pra, për pozitat e të gjithë këtyre zyrtarëve do të shpallen konkurse të reja dhe atyre do të ju pushoj marrëdhënia e punës që kanë tani, për tu zëvendësuar me militantë partiak.”, tha Gruda.
“Po ashtu, i bëjmë thirrje Zyrës së BE- në Kosovës që të kundërshtoj me gjithë forcën e saj këtë nismë të qeverisë për të shkatërruar administratën e shtetit. PDK nuk do të lë mjet dhe rrugë demokratike pa përdorur për t’i mbrojtur shërbyesit civilë nga ky arbitraritet brutal dhe se nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që rruga evropiane e Kosovës të pengohet nga mungesa e profesionalizmit, qëllimet jo të mira dhe synimet e qarta të kësaj qeverie për të vënë administratën e shtetit në shërbim të partisë në pushtet”, tha ndër të tjera Gruda.
