PDK-ja i nis përgatitjet për zgjedhjet e brendshme partiake “deri te organet qendrore të partisë”
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar sot zyrtarisht fillimin e përgatitjeve për procesin e zgjedhjeve të brendshme partiake. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së dytë të Kryesisë, të mbajtur pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Gjatë këtij takimi, strukturat drejtuese të PDK-së kanë analizuar procesin e fundit zgjedhor dhe rezultatin e arritur. Sipas njoftimit të partisë, edhe pse PDK u rendit si forca e dytë politike në vend, analiza e brendshme vlerëson se subjektit i është ruajtur "vota tradicionale".
Njoftimi:
PDK nis përgatitjet për zgjedhjet e brendshme partiake
Prishtinë, 12 janar 2026 – Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, të dytën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilën është diskutuar analiza e brendshme e procesit zgjedhor dhe e rezultatit elektoral.
Gjatë kësaj mbledhjeje janë adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet e fundit, ku PDK është renditur si forca e dytë politike, duke ruajtur votën e saj tradicionale. Po ashtu, janë nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e mëtejmë politikë dhe organizativë të partisë në të gjitha nivelet.
Si hap i parë drejt ecjes përpara dhe forcimit të mëtejmë të partisë, Kryesia e PDK-së ka miratuar vendimin për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat do të zhvillohen në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët, deri te organet qendrore të partisë.
Ky proces do të nisë gjatë javëve të ardhshme përmes emërimit të grupeve punuese dhe përpilimit të hapave konkretë, me synimin për një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe transparent, që ka për qëllim konsolidimin e strukturave, forcimin e unitetit të brendshëm dhe përgatitjen e PDK-së për sfidat politike.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që, mbi bazën e reflektimit dhe përgjegjësisë politike, të vazhdojë ngritjen e saj si parti kryesore opozitare, e organizuar dhe e besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit të Republikës së Kosovës.