Trimi i PDK-së me syze të shtrenjta e vazhdon protestën: Martin, veç vonim se s’ka pshtim
Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar me aksione simbolike për shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Kryetari i Rinisë Demokratike, Trim Syla, sot ka zhvilluar aksionin e tij para Zyrës së Prokurorit të Shtetit.
Aty mbante parullën “Martin, veç vonim se s’ka pshtim!”.
Aksione të njëjta ai ka bërë edhe para Qeverisë së Kosovës dhe ndërtesës së KEDS-it.
Edhe kryetar i PDK-së, Memli Krasniqi, sot përmes një video të postuar në profilin e tij në “Facebook”, ka thënë se kryeministri Kurti po e mbron atë, ndërsa qytetarët po kërkojnë të vërteten për këtë skandal.
“Mbi dy milionë euro i janë dhënë nga një kompani energjetike sllovene me degë në Serbi mikut të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Martin Berishajt, që e emëruan ambasador të Kosovës në Kroaci dhe i cili tërhoqi miliona euro kesh, para këto që nuk dihet se ku shkuan”, ka thënë Krasniqi.
