PDK: Kurti po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë dhe po cenon sovranitetin e Kosovës - NACIONALE

PDK: Kurti po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë dhe po cenon sovranitetin e Kosovës

5 muaj më parë

nga NACIONALE

PDK ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se me po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë dhe po cenon sovranitetin e Kosovës.

Sipas kësaj partie, pranimi i dokumenteve të lëshuara nga Serbia dhe lejimi i funksionimit të institucioneve ilegale serbe brenda territorit të Kosovës përbëjnë lëshime të rënda me pasoja për rendin kushtetues dhe funksionalitetin e shtetit.

“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës.

Këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence dhe në kohën kur po inskenohej kriza e radhës institucionale, me të cilat ai dhe partia në pushtet po e dëmtojnë funksionalitetin e Republikës së Kosovës.

Për vite me radhë, Kurti deklaronte se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele të Serbisë, ndërkohë që me vendimet e tij po e pranon publikisht ekzistencën e tyre dhe po krijon kushte për vazhdimin e funksionimit të tyre.

Ironikisht, vetëm pak javë më parë në Davos ai deklaronte para botës se strukturat paralele nuk ekzistojnë më. Ndërsa tani, përmes kompromisit të tij politik, po u jep atyre një legjitimitet të ri.

Këto lëshime janë vazhdim i logjikës së rrezikshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të pranuara nga Kurti pa transparencë dhe pa debat institucional, të cilat tashmë po prodhojnë pasoja konkrete në terren në dëm të interesit shtetëror të Kosovës”, thuhet nder tjera ne reagim.

Lajme të ngjashme