PDK-ja e hap fushatën në Ferizaj, Hamza: Jemi të vendosur që t’i themi stop krizës
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se tubimin hapes të fushatës do ta mbaj të enjten në Ferizaj, në ora 20:00.
Kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, ka ftuar të gjithë aktivistët e kësaj partie që të marrin pjesë në këtë tubim.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se PDK-ja është gati t`i thotë stop krizës
“Nga Ferizaj nisim rrugëtimin për ta ndryshuar Kosovën! Shumë të dashur aktivistë, struktura dhe qytetarë të Kosovës, Të enjten, nga ora 20:00, ju ftoj të gjithëve në hapjen e fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës në qytetin e bukur të Ferizajt. Jemi bashkë, me energji, besim dhe dashuri për atdheun tonë. Dhe jemi të vendosur që t’i themi STOP krizës dhe, bashkë me secilin prej jush, ta ndryshojmë Kosovën”, ka shkruar Hamza.