PDK-ja e dërgon në Kushtetuese edhe vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Agron Bekës
Avokati i Grupit Parlament të PDK-së, Faton Fetahu, ka bërë me dije se sot e ka dërguar për shqyrtim vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se shkarkimi i tij ka qenë arbitrar.
“Po! Ju konfirmoj se në emër të GP PDK e kam dorëzuar kërkesën për vlerësimin e kushtetushmerisë së vendimit të Kuvendit me të cilin në mënyrë arbitrare u shkarkua anëtari joprokuror i KPK- së”, ka thënë Fetahu.
Sipas tij, më këtë rast Kuvendi ka cenuar pavarësinë e këtij institucioni të pavarur.
“Në këtë rast, përveç se u cenua pavarësia kushtetetuese e KPK-së si institucion i drejtësisë, ju ndërpre mandati kushtetues një anëtari të tij, për arsye që nuk lidhen fare me rolin dhe pozitën e tij në këtë institucion”, ka thënë Fetahu.