Pasi u qa për telashe, Kurti i numëron sukseset: Po ia thyejmë rekordet vetes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë është lavdëruar me të arriturat me rastin e një viti e gjysmë të qeverisjes, pasi fillimisht u qa për problemet me të cilat ishte përballur me kabinetin e tij.
Para ministrave, ai ka thënë se viti 2021 ka qenë me shumë suksese, por deklaroi se në këtë vit po ia thyejnë rekordet vetes.
“Një vit e gjysmë rritje dhe anti-korrupsion, qeverisje socialdemorkate e stabilitet institucional. Financat publike i kemi kthyer në binarë. Nga 28.7% sa ka qenë, 21% në vitin 2022. Kemi ofruar mbi 750 milionë euro mbështetje për qytetarët për pandeminë, krizën energjetike e rritjen e çmimeve. Kemi rritjen ekonomike historike në vendin tonë në 10.7%. Kemi rritje enorme të të hyrave buxhetore në vitin 2021. Të hyrat e ATK-së për periudhën janar-gusht 2022 janë 22.2% më të larta se në vitin 2021. Viti 2021 i suksesshëm e në vitin 2022 po e thyejmë rekordin e vetes”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
“Kemi shlyerje të borxheve qindra mijëra euro. Përkrahje të fermerëve me subvencione që në vlerë të përgjithshme shkon në 100 milionë euro. Kemi krijuar infrastrukturën ligjore për Fondin Sovran. Kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për hekurudhën Prishtinë-Durrës. Qindra prodhues të përkrahur me dhjetëra milionë euro. Eksporti vitin që shkoi është rritur për 83.6%”, numëroi kryeministri i vendit.
“Rritja e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes është për 52% në raport me vitin 2019. Investimet në blerje ushtarake kanë qenë për 96% më shumë. Kemi filluar reformën në sistemin e drejtësisë nëpërmjet paketës së Vetingut dhe reformës në sistemin prokurorial. Luftë kundër korrupsionit që përfshin Ligjin për Byronë. Kemi themeluar Gjykatën Komerciale, Institutin për Krime të Luftës, kemi miratuar strategjinë për sundimin e ligjit dhe dhunën në familje”, shtoi Albin Kurti.