Pasi AShAK-u ia hoqi, Mehmet Kraja e boton “analizën” në uebfaqen e tij personale
Gazeta Nacionale dje raporti se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e ka hequr nga uebfaqja e saj “analizën” e kryekadamikut Mehmet Kraja rreth synimeve destabilizuese të Serbisë, tekst i cili ngjalli shumë reagime për shkak të përmbajtjes së saj. Por kjo duket se nuk e ka penguar Krajën, i cili ka zgjedhur një metodë për t’iu kundërpërgjigjur AShAK-ut.
Pasi Akademia ia hoqi nga uebfaqja, tash Kraja ka zgjedhur uebfaqen e tij personale, të titulluar “mehmetkraja.com”, për të botuar shkrimin me titull “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”.
Ndryshe sot 3 akademikë i kanë kërkuar dorëheqjen Krajës, duke ia numëruar edhe disa arsye për këtë punë.
“Para skandaleve lidhur me dokumentin megaloman të Kryetarit të Akademisë, M. Kraja, i cili ka një kohë që po e keqpërdor edhe faqen zyrtare të saj. Së pari kjo ndodhi me disa “In Memoriame” për miqtë e tij jashtë Akademisë, të cilët pasi qëndruan gjatë, me ridizajnimin e faqes, u hoqën, por në arkiv ruhen! Pastaj vazhdon avazin me tekst-pamfletin e tij, të publikuar disa herë dhe në disa vende brenda 11 muajve, por në vëllim të ndryshëm dhe në versione të retushuara: hiq e fut tekste, njëherë në emër të Akademisë, herën tjetër në emrin e tij personal.” – thuhej në reagim.
