Pas vonesave dhe kaosit me librat, MAShTI del me një kërkesë të re ndaj prindërve
Pas vonesave me subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit, Ministria e Arsimit ka dalë me një kërkesë të re ndaj prindërve dhe kujdestarëve ligjorë.
MAShTI u ka kërkuar prindërve të nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën që të plotësojnë dhe nënshkruajnë një deklaratë për verifikimin e përdorimit të mjeteve dhe sigurimin e teksteve shkollore.
Në deklaratë, prindi apo kujdestari ligjor duhet të konfirmojë se mjetet e subvencionimit janë përdorur për blerjen e teksteve shkollore.
Po ashtu, duhet të deklarojë se tekstet janë siguruar dhe se nxënësi i ka në dispozicion.
Prindërit do të deklarojnë gjithashtu se janë të vetëdijshëm për mundësinë e verifikimit nga institucionet kompetente lidhur me përdorimin e mjeteve dhe sigurimin e teksteve.
Një tjetër pikë e deklaratës lidhet me tekstet që janë të destinuara për ripërdorim.
Prindërit duhet të zotohen se këto tekste do t’i kthejnë në shkollë në përfundim të vitit shkollor dhe në gjendje të përshtatshme.
Sipas MAShTI-t, deklaratat do t’u shpërndahen nxënësve përfitues nga shkollat, ndërsa pas plotësimit dhe nënshkrimit ato do të grumbullohen dhe evidentohen nga institucionet arsimore.
Ky proces duhet të përfundojë deri më 1 tetor 2026.
MAShTI ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat që të organizojnë dhe lehtësojnë këtë proces.