Pas shtypjes vdekjeprurëse, dobësohen protestat në Iran
Shtypja vdekjeprurëse nga autoritetet duket se i ka qetësuar gjerësisht protestat tani për tani në Iran, thanë të premten disa banorë, përderisa mediat shtetërore raportuan për më shumë arrestime nën hijen e kërcënimeve të përsëritura nga ShBA-ja për të ndërhyrë, nëse vrasjet vazhdojnë.
Protestat shpërthyen më 28 dhjetor për shkak të vështirësive ekonomike dhe më pas u shndërruan në demonstrate me thirrje për fundin e pushtetit të klerikëve, duke kulmuar në dhunë masive në fund të javës së kaluar. Sipas grupeve opozitare dhe një zyrtari iranian, më shumë se 2.000 njerëz janë vrarë gjatë trazirave më të rënda që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sidoqoftë, disa banorë të Teheranit të kontaktuar nga agjencia “Reuters” thanë se kryeqyteti për katër ditë ka qenë kryesisht i qetë. Dronë po fluturonin mbi qytet, por nuk kishte shenja të protestave të mëdha të enjten dhe të premten. Një banor tjetër në një qytet verior buzë Detit Kaspik tha se rrugët atje gjithashtu dukeshin të qeta. Banorët refuzuan që të identifikoheshin për shkaqe sigurie.
Rreziku për një sulm amerikan është dobësuar nga e mërkura, kur presidenti Donald Trump tha se i është thënë që vrasjet në Iran po pakësoheshin. Megjithatë, më shumë asete ushtarake amerikane pritej të arrinin në rajon, duke i dëshmuar tensionet e vazhdueshme.
Aleatët e ShBA-së, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin, zhvilluan diplomaci intensive me Uashingtonin këtë javë për të parandaluar një sulm amerikan, duke paralajmëruar për pasoja për rajonin që në fund do t’i preknin edhe Shtetet e Bashkuara, tha një zyrtar i një vendi të Gjirit Persik.