Pas Deçanit, aktakuzë edhe ndaj drejtorit të Urbanizmit në Klinë
Pas Deçanit, aktakuzë edhe ndaj drejtorit të Urbanizmit në Klinë
Prokuroria e Pejës ka ngritur edhe një aktakuzë gjatë ditës së sotme. Kësaj here, po e akuzon drejtorin e Urbanizmit në komunën e Klinës.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit L.M. (në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes se Mjedisit në komunën e Klinës) dhe A.G.(udhëheqës i sektorit të ndërtimit dhe banimit në këtë drejtori), në dy raste të ndara, duke vepruar në bashkëkryerje dhe duke tejkaluar kompetencat zyrtare, lëshojnë leje ndërtimore për subjekte ekonomike të caktuara dhe atë në kundërshtim me ligjin për ndërtim dhe planin rregullues urban”, thuhet në komunikatë.
“Gjithashtu, i pandehuri L.M, (në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtjes se Mjedisit), në tejkalim të kompetencave të tij zyrtare dhe duke vepruar në kundërshtim me ligjin për hekurudhat, nxjerr vendime me të cilat i mundëson subjektit ekonomik të caktuar ndërtimin e objektit në afërsi të vijës hekurudhore, duke mos respektuar distancën e paraparë me ligjin në fjalë”, bëhet e ditur më tutje.
“Kurse, i pandehuri N.G., (inspektor i ndërtimi), duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare, si dhe duke vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërtim, ligjin për inspektorat dhe udhëzimin administrativ për mbikëqyrje inspektuese i mundëson subjekteve të caktuara ekonomike në tri raste të ndara, ndërtimin e objekteve në kundërshtim me lejet dhe kushtet ndërtimore”, thuhet në aktakuzë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.