Pas caktimit të datës së zgjedhjeve, Osmani pret në takim ambasadorin britanik
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas njoftimit të Presidencës, “në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Presidentja ritheksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike”.
Në njoftim theksohet se Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushat e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë dhe të drejtave të njeriut.
“Në këtë frymë, u diskutua edhe për përgatitjet për të shtyrë përpara iniciativën e Presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, ashtu siç ishte diskutuar me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar gjatë vizitës së tij në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.