Parlamenti Studentor i UP-së organizon marsh kundër Asociacionit
Gjatë ditës së sotme Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës do të mbajë një marsh kundër themelimit të Asociacionit të komunave serbe.
"Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorine themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëm shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës. Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj. Ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme, përsëri është i domosdoshëm mobilizimi e organizimi studentor për të kundërshtuar një të keqe që po provohet të instalohet brenda shtetit tonë", Parlamenti i studentëve të “Hasan Prishtinës.
Tutje në njoftimin e publikuar të enjten në Facebook, Parlamenti i studentëve të “Hasan Prishtinës” tha se grumbullimi do të nisë në orën 16:00 te Biblioteka Kombëtare.
Asociacioni sipas Parlamentit të studentëve një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës.
"Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë. Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për asociacionin një etnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë", thuhet në njoftim.