Parandalohet kontrabanda e drogës në Qendrën Korrektuese të Dubravës
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se është parandaluar një rast i tentim-kontrabandës në Qendra Korrektuese e Dubravës.
Sipas njoftimit, rreth orës 12:30, gjatë kontrollit të gjësendeve të sjella nga një vizitor, zyrtarët korrektues kanë zbuluar një sasi të dyshuar narkotike, e kamufluar dhe e mbështjellë me qese najloni, me peshë rreth 43 gramë.
Si pasojë, vizita është anuluar, ndërsa vizitori është ndaluar në sallën e vizitave. Për rastin janë njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka marrë në posedim substancën dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.
Shërbimi Korrektues i Kosovës theksoi se do të vazhdojë me masa të rrepta kontrolli për të parandaluar futjen e materialeve të ndaluara në institucionet korrektuese.