Pamje: “Apple” kërkon falje për reklamën e kritikuar të iPad-it të ri - NACIONALE

Pamje: “Apple” kërkon falje për reklamën e kritikuar të iPad-it të ri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjiganti amerikan i teknologjisë, “Apple”, ka kërkuar falje pas reagimeve të shumta në internet ndaj një reklame për tabletin e saj të ri, ku paraqitet një shtypës i madh hidraulik duke shkatërruar një grumbull të objekteve kreative, përfshirë disa instrumente muzikore e libra, gjoja duke formuar nga to një iPad.

Reklama e publikuar të martën nga shefi ekzekutiv i kompanisë, Tim Cook, e shfaq pajisjen e rëndë duke shtypur objekte të ndryshme, përfshirë një piano, para se një iPad të shfaqet në vend të tyre. Një zë pastaj thotë: “iPadi më i fuqishëm ndonjëherë është edhe më i holli”, raporton gazeta “The Guardian”.

Nënkuptimi se një iPad mund ta përfshijë shkathtësinë kulturore të njerëzimit në një objekt me trashësi prej 5 milimetrash u pa ndryshe nga komentuesit në rrjete sociale. Aktori Hugh Grant tha se kjo reklamë e paraqet “shkatërrimin e përvojës njerëzore”.

Justine Bateman, regjisore amerikane që e ka kritikuar ndikimin e inteligjencës artificiale në industrinë e saj, në rrjetin X shkroi: “Pse Apple bëri një reklamë që i shtyp artet? Teknologjia dhe inteligjenca artificiale, mjete për t’i shkatërruar artet dhe shoqërinë në përgjithësi.”

Kompania e njohur më vonë kërkoi falje dhe pranoi se reklama ishte gjykuar gabimisht.

“Kreativiteti është në ADN-në tonë në Apple dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të dizajnojmë produktet që i fuqizojnë kreativët në mbarë botën” – tha Tor Myhren, zëvendësdrejtor për komunikime të marketingut në këtë kompani.

U raportua se edhe pse reklama mbetet në llogarinë e Cook-it në rrjetin X dhe në “YouTube”, kompania i ka anuluar planet për ta shfaqur atë në televizion.

Lajme të ngjashme