Pallaska: Maturia e veprimit ishte çelësi i suksesit të operacionit të sotëm policor në Banjskë
Avokati Dastid Pallaska ka thënë se maturia në veprim e Policisë së Kosovës sot në Banjskë ishte “çelësi i suksesit të operacionit”.
Ai ka shtuar se kjo dëshmon se forcat policore “kanë aftësi jo vetëm të zmbrapsin një sulm terrorist tejet të rrezikshëm por edhe të ruajnë jetët e civilëve të pafajshëm që zakonisht e pësojnë në këto raste”.
Pallaska ka mirëpritur edhe “vetëpërmbajtjen e politikanëve nga protagonizmi” duke e cilësuar si të “inkurajues”.
Postimi i plotë:
Maturia e veprimit ishte çelësi i suksesit të operacionit të sotëm policor në Banjskë.
Kjo maturi tregoi se forcat tona policore kanë aftësi jo vetëm të zmbrapsin një sulm terrorist tejet të rrezikshëm por edhe të ruajnë jetët e civilëve të pafajshëm që zakonisht e pësojnë në këto raste.
Komunikimi publik nëpërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë është tregues se veprimet institucionale të Kosovës ishin të udhëhequra nga profesionistët.
Vetëpërmbajtja e politikanëve nga protagonizmi i padobishëm është po ashtu inkurajues, posaçërisht kur merren parasysh tendencat e tyre populliste.
Veprimet e sotme të autoriteteve të vendit dëshmuan se Kosova - për dallim nga Serbia - është shtet i së drejtës edhe në rrethana të jashtëzakonshme.
Kjo qasje duhet të mbizotërojë edhe gjatë procedurës penale dhe veprimeve tjera që do të pasojnë.
Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohet vendi dhe të sigurohet përkrahja ndërkombëtare që është esenciale për sigurinë kombëtare.